Zija Çela, “Nderi i kombit”

07/04/2016 00:00

Shkrimtari Zija Çela është dekoruar dje me “Nderi i Kombit” nga Presidenti Bujar Nishani me motivacionin: “Në vlerësim të figurës së tij të shquar si përfaqësues i denjë dhe i veçantë i letrave bashkëkohore shqipe, si dhe të kontributit të spikatur e të rrallë si eseist dhe publicist”.

Artisti mbi të gjitha ka vlerësuar dimensionin krijues jo thjesht si një proces, por si sublim.

“Nuk isha përgatitur që do të bëhej ky festim. E bukura është se festimin ma bënë të tjerët. Kisha filluar të mendoja e kam humbur shijen për t’u gëzuar, por asnjëherë nuk ma zbeh ai përçuesi binjak, ndjeshmëria për gëzimin dhe dhimbjen e tjetërkujt dhe këtu kam gjetur atë që e quaj “dashnia njerëzore”, shprehet shkrimtari.

Po për shkrimtarin sublimiteti më i madh përveç lirisë së tij krijuese është dashuria njerëzore.

“Dashnia njerëzore prodhon një dritë që është e pazëvendësueshme. Ajo është e pazëvendësueshme sepse nuk vjen nga turbinat e çelikut që punojnë me ujë, por nga gjaku i zemrës së brishtë njerëzore. Në të gjitha këto ngjarje që kanë ndodhur, për mua ky është akti më i madh, dashnia njerëzore e humanizon më tej shoqërinë tonë dhe ne kemi shumë nevojë për këtë”, thotë shkrimtari Zija Çela.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Bujar Nishani e vlerësoi Çelën si njëri unik në letërsinë moderne shqiptare.

Top Channel