Thaçi betohet si president i Kosovës, protesta jashtë Parlamentit

07/04/2016 11:35

Presidenti i ri i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë betimin në një seancë solemne në Kuvend, ku të pranishëm ishin familja e ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe personalitete të tjera të vendit, ndërsa edhe pse ishin të ftuar, aty munguan përfaqësues të familjes Jashari.

Thaçi nënshkroi deklaratën e betimit dhe u zotua para deputetëve se do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim.

“Në angazhimet e mia do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, traditën e mirë të qytetarisë, kriteret dhe vlerat euroatlantike. Gjithmonë do të nisem nga oferta ime për dialog politik, ndërpartiak, për komunikim me shoqërinë civile, me mediat, bizneset dhe nismat e lira. Si kreu i shtetit do të ruaj, kultivoj dhe përfaqësoj unitetin e popullit të Republikës së Kosovës”, tha Hashim Thaçi, President i Kosovës.

Seanca solemne e betimit të Presidentit Thaçi u bojkotua nga opozita, por edhe disa deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërkohë që të pranishëm ishin të gjithë deputetët e grupeve të tjera parlamentare, përfshirë edhe ata serbë.

Fjalimi i Thaçit në Kuvend u shoqërua për disa çaste me zhurmën e gurëve, që hodhën disa të rinj jashtë ndërtesës së Kuvendit, dy prej të cilëve policia ka arritur t’i arrestojë.

Pas përfundimit të seancës solemne, Presidenti i ri Thaçi shkoi në kabinetin e tij të ri, ku u prit nga Presidentja në largim Jahjaga, e cila ia dorëzoi edhe zyrtarisht mandatin presidencial.

Telegramin e parë të urimit, pas bëries së betimit si President, Thaçi e ka marrë nga Presidenti i Francës, François Hollande, i cili ka shprehur mbështetjen e Francës për Kosovën.

Ceremonia përmbyllëse e përurimit të presidentit të ri kosovar do të mbahet të premten, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku janë të ftuar rreth 1.200 pjesëmarrës nga shumë vende të botës.

Në këtë ceremoni, Shqipëria do të përfaqësohet në nivel Presidenti e kryeministri, Kroacia në nivel Presidenti, por edhe vendet e tjera të rajonit – përveç Serbisë dhe Bosnjës, – kanë konfirmuar pjesëmarrjen në ceremoni.

Sipas kabinetit të Presidentit Thaçi, në ceremoninë e përurimit do të jenë të pranishëm përfaqësues të shqiptarëve nga të gjitha vendet e botës, ndërsa për sigurinë e pjesëmarrësve, policia ka vendosur 3 perimetra sigurie në të gjitha sheshet e kryeqytetit kosovar.

FOTO GALERI
5/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA