“Roja i gjelbër”, 24 orë monitorim në pyjet e Dibrës

06/04/2016 00:00

Dibra ka një sipërfaqe të madhe me pyje por edhe zonat më shumë të dëmtuara nga prerja. Parku i madh i Lurës, pyjet e Kaçnisë në Selishtë, pyjet e liqenit të Zi në Bulqizë dhe Llapusit në Mat janë dëmtuar shumë rëndë dhe shenjat ende janë të dukshme edhe pse ka nisur moratoriumi që ndalon prerjet.

Për shkak të rasteve të përsëritura të shkeljes së këtij moratoriumi, ka nisur monitorimi 24 orë në disa pika ku më parë kalonin mjetet me pemët e prera.

Të ashtuquajturat “roje të gjelbra” janë vendosur në tre akse rrugore, e megjithate ka ende raste prerjesh.

“Jemi task force, ose thjesht roja i gjelbër, duke qënë forcat e rendit, të mbrojtjes, së pyjeve dhe i tatimeve. Deri tani këtu në këtë vend që kemi ne, nuk ka pasur lëvizje. E kanë marrë vesh vendndodhjen tonë dhe janë të informuar për këtë problem. Kemi urdhër të jemi të stacionuar këtu, po ka dhe lëvizje. Si fenomen, sipas informacioneve tek tuk vazhdon ky fenomen i prerjes, por është në zhdukje e sipër”, thotë Iljaz Spahiu, inspektor i pyjeve.

Prerjet kanë rënë në mënyrë drastike me hyrjen në fuqi të moratoriumit, sipas inspektorëve mbeten problem vetëm banorët e zonës që presin për nevojat personale por pa koordinuar më parë me autoritetet.

Top Channel