Kosovë, arsimtarëve të periudhës së luftës do t’u njihet përvoja e punës

06/04/2016 00:00

Pensionistëve, të cilët gjatë viteve 1990-’99 kanë punuar në arsim, do t’u njihet përvoja e punës për këtë periudhë.

Deri tani, kontributi i tyre në mësimdhënie përgjatë këtyre viteve nuk njihej, për shkak se sistemi paralel i arsimit që formuan shqiptarët për të vazhduar mësimet në gjuhën shqipe gjatë regjimit të Milosheviçit, nuk ka mundur të  derdhë kontribute.

Ministria e Arsmit ka nxjerrë një vërtetim, që duhet të plotësohet nga pensionistët dhe shkollat ku ata kanë punuar.

“Ky është vërtetimi zyrtar, që duke nisur nga sot, të gjithë mësimdhënësit do ta plotësojnë në Drejtoritë Komunale të Arsimit, pastaj MASHT do ta procedojë menjëherë duke e vendosur në skemat e pensioneve. Ky është një hap shumë i domosdoshëm, një hap shumë i mirëpritur, që mësimdhënësve që kanë punuar dhe kanë rezistuar në kohën më të vështirë, në kohën e mbijetesës së sistemit arsimor, t’u njihet përvoja e punës dhe ata të marrin pension të dinjitetshëm dhe të merituar”, tha Arsim Bajrami, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi sqaroi se, baza e pensionit kontributdhënës është 158 euro, e cila kategorizohet në varësi nga përgatitja akademike.

“Do të përllogaritet përvoja e punës së secilit në përvojën totale, e nëse arrihen 15 vite, atëherë ai mësimdhënës kalon në pension kontributdhënës. Në varësi nga kualifikimi, sapo kalon në kontributdhënës e ka bazën 158 euro, ndërsa nisur nga kualifikimi shkollor që mund të ketë, vazhdon përshkallëzimi”, tha Arban Abrashi, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Pensionet shtesë për këtë kategori të mësimdhënësve, që deri tani kanë gëzuar vetëm pensionin e thjeshtë të pleqërisë, do të ndahen nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Top Channel