Jahjaga “dorëzon çelsat” e Presidencës, takimet e fundit me të rinjtë

06/04/2016 00:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka përmbyllur ditën e fundit si kryetare e shtetit me një agjendë të ngjeshur aktivitetesh, ndërsa fjalimin e fundit e mbajti para studentëve të Fakultetit Juridik, ku edhe vetë ka mbaruar studimet.

“Nuk ka përmbyllje më të mirë sesa me studentët, me ju, me rininë e Kosovës, që unë pa marrë parasysh kudo ku kam shkuar jam krenuar me 60 përqind të popullatës tonë, që është përfaqësimi më i mirë që e kemi”, deklaroi Jahjaga.

Jahjaga, e cila i dorëzon të enjten detyrën Presidentit të zgjedhur Hashim Thaçi, tha se javën e ardhshme do të nisë një pushim, për të menduar më pas për të ardhmen e saj.

Jahjaga u zgjodh Presidente e Kosovës më 7 prill 2011, si kandidate e propozuar nga Ambasada Amerikane, pas një krize të thellë politike, ku Gjykata Kushtuese kishte vlerësuar se Kuvendi ka shkelur Kushtetutën me formën e zgjedhjes së Behgjet Pacollit President.

Edhe pse e cilësuan si presidente “të dalë nga zarfi”, partitë politike e votuan atë me shumicë votash për të shmangur zgjedhjet e parakohshme.

Jahjaga ka qenë zëvendësdrejtore e Policisë së Kosovës, ndërsa karrierën e ka nisur si efektive e thjeshtë në Gjakovë menjëherë pas luftës. Kur mori postin e Presidentes, formulari i deklarimit të pasurisë së saj kishte vetëm 7,800 euro, ndërsa sot e mbyll me një bilanc kursimi prej  83 mijë eurosh në llogarinë e saj bankare.

Për pesë vite në krye të shtetit, Jahjaga është angazhuar në përmirësimin e imazhit ndërkombëtar të Kosovës, ndërsa Zyra e Presidentes asnjëherë nuk është përmendur për keqpërdorime. Jahjaga  e ka përmbyllur mandatin me një bilanc të vlerësuar kryesisht pozitiv, ku veçohet nisma e saj për njohjen e statusit për gratë e dhunuara gjatë luftës.

Top Channel