Miksimi i muzikës ballkanike

05/04/2016 00:00

Një mënyrë e re për të miksuar muzikën e Ballkanit, bën protagonist në Shqipëri artistin britanik GhostPoet.

Nëpërmjet projektit “Mix the City” do të krijohet një platformë e re interaktive video-muzikore. Kushdo që ka një telefon të mençur, mund të bëjë miksin e tij muzikor me motive ballkanike dhe ta shpërndajë atë në mediat sociale.

“Projekti fillon me një faqe interneti. Ajo që artistët mund të bëjnë është të rizgjedhin mes tingujve të ndryshëm për të krijuar një muzikë të re. Më herët nuk e njihja muzikën ballkanike, por që kur jam përfshirë në këtë projekt e gjej shumë muzikë emocionale”, u shpreh GhostPoet.

Gjatë katër javëve GhostPoet do të jetë në kërkim të artistëve me potencial në muzikë, të cilët do të tregojnë mënyrën se si e shohin Ballkanin, qytet, njërëzit dhe kulturën e tij.

“Unë po mbledh muzikantë nga Ballkani. E hëna ishte dita ime e parë në Tiranë. Zbulimi i një muzike të re është mjaft interesante për mua, një ndalesë e re”, vijoi artisti britanik.

“Është një projekt shumë interesant, se përveç se është miksim si aplikacion është edhe kjo ideja që mund të miksosh folklore të ndryshme, kultura të ndryshme”, tha Bledi Boraku, muzikant.

Rezultati përfundimtar i bashkëveprimit me platformën do të jetë një miks unik në formën e një videoklipi muzikor i cili kombinon audio miksin nga muzikantët lokal me videot filmike nga peisazhet autentike të Ballkanit.

Top Channel