Zonat e minuara, ende problem në Kosovën e pasluftës

04/04/2016 00:00

Lufta e fundit në Kosovë ka lënë pas një numër të madh pajisjesh të pashpërthyera, të cilat vazhdojnë të rrezikojnë jetët e qytetarëve. Që nga përfundimi i luftës, në Kosovë kanë humbur jetën 113 persona, si pasojë e shpërthimit të minave dhe mjeteve të tjera shpërthyese, ndërsa 437 të tjerë janë lënduar.

Jehona Verbovci, 24 vjeç nga Fushë Kosova, humbi këmbën e djathtë, kur në moshën 10-vjeçare gjeti një mjet të tillë afër shtëpisë së saj.

“Afër shtëpisë sime ka ndodhur dhe ka qenë mjet eksploziv. Kam qenë dhjetëvjeçare. Fëmijët kanë luajtur me të gjatë gjithë ditës, ndërsa mua më ka rastisur ta kem në dorë e fundit. Më ka rrëshqitur nga dora dhe ka ndodhur aksidenti”, tha Jehona Verbovci, viktimë e eksplozivit.

Vendosja e protezës, Jehonës i ka kushtuar mbi 5.000 euro, por për këtë nuk është ndihmuar nga shteti. Ajo pati fatin të ndihmohej nga ish-pjesëtarë të UÇK-së.

Financimin e protezave nga shteti, në Kosovë e presin 140 të plagosur nga minat, disa prej të cilëve protestuan të hënën para ndërtesës së Qeverisë, ku kërkuan përkrahje institucionale.

Që nga paslufta, në Kosovë janë pastruar nga minat mbi 49 milionë metra katrorë sipërfaqe toke, por sipas nënkolonelit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Afrim Veseli, ka ende shumë zona ku duhet të punohet.

“Kemi ende 69 zona të prekura nga minat, apo nga mjete të tjera eksplozive, 55 zona me bomba të mbushura, që paraqesin një rrezik të shumëfishtë”, tha Afrim Veseli, nënkolonel i FSK-së. FSK, aktualisht është duke pastruar 5 zona të rrezikuara në Kosovë.

Top Channel