Mogherini pret Jahjagën, në fokus proceset e rajonit

04/04/2016 13:05

Shefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini priti sot në Bruksel presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, e cila të enjten më 7 prill përmbyll mandatin e saj.

Në një njoftim të zyrës së zonjës Mogherini thuhet se, të dyja zyrtaret e larta biseduan për situatën aktuale në Kosovë dhe rëndësinë e funksionimit të institucioneve.

Ato u pajtuan rreth rëndësisë së bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe posaçërisht, zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese në të mirë të qytetarëve.

Për më tepër, thuhet në njoftim, ato biseduan për bashkëpunimin më të fortë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe rajonit, në përpjekje për t’u përballur me sfidat e përbashkëta, siç janë zhvillimi ekonomik dhe situata e sigurisë, përfshirë luftën kundër radikalizmit.

Zonja Mogherini vlerësoi se, “bashkëpunimi i shkëlqyer me presidenten Jahjaga ka ndihmuar shumë në marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, përfshirë edhe hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit më 1 prill”.

Top Channel