Vemendja mediatike dhe blicet e aparateve fotografike kanë qenë të kursyer me të, por kjo nuk e ka penguar të ngjisë shkallët e suksesit në Itali.

Hektor Budlla, balerini shqiptar me famë botërore, rikthehet në skenën e TKOB, aty ku mori udhë karriera e tij artistike. Këtë herë do të veshë kostumin e Don Kishotit.

“Kam emocione, trishtim sepse i kam munguar kësaj skene, kur kthehesh duhet të japësh maksimumin për publikun. Kjo pjesë është nga më të vështirat.  Në Shqipëri ka pasur shumë Don Kishotë, që janë dënuar nga regjimi komunist”, thotë balerini Hektor Budlla.

Pas 15 vitesh, ai rikthehet në shkollën ku mori mësimet e para të dansit.

“Kam shumë emocione, por nga jashtë më është dukur akoma më bukur. Brenda ka akoma shumë punë për t’u bërë. Kjo shkollë ka nxjerrë shumë talente, por nuk kanë ardhur t’i shohin ndonjëherë këto kushte me siguri që do të çuditeshin që kanë dalë nga kjo shkollë”, shprehet Budlla.

Ndaj për këtë qëllim, ai ka vendosur që të ardhurat nga shitja e biletave t’ia dhurojë si bursë studimi një balerini të talentuar, për të mos pasur të njëjtin fat të vështirë që ai pati, në rrugën e bukur por të mundimshe të artit.

Top Channel