Kosovë, incident me armë në veri të Mitrovicës. Sherri nisi në rrjetet sociale

01/04/2016 00:00

Një grindje në rrjetet sociale mes disa adoleshentëve shqiptarë dhe serbë, mbrëmjen e së enjtes në veri të Mitrovicës, ka treguar edhe një herë sesa e brishtë është qetësia në veriun e qytetit të ndarë. Nga një sherr virtual, përplasja është zhvendosur në rrugë, e madje lagjja “Kodra e Minatorëve” është tronditur nga disa të shtëna me armë zjarri.

Sipas dëshmitarëve, nuk ka mjaftuar ardhja e adoleshentëve serbë me shufra hekuri nga një lagje tjetër e veriut të qytetit, por pas tyre ka mbërritur një i ri, që ka përdorur armë zjarri.

“Kanë dalë nga makina me shufra hekuri. I kemi thënë të shkojnë, kanë hipur në makinë dhe janë larguar. Pas 5 minutash ka ardhur një më i madh, ka dalë nga makina dhe ka shtënë në drejtim të fëmijëve 4 ose 5 herë”, tha Kenan Cerani, dëshmitar i incidentit, banor i lagjes “Kodra e Minatorëve”.

Zyrtari për Informim i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti tha për Top Channel se, ka marrë në pyetje disa persona shqiptarë dhe serbë, si të dyshuar për përfshirjen në këtë ngjarje.

“Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka marrë së paku 4 gëzhoja nga arma e zjarrit, që besohet të jetë pistoletë. Në momentin që flasim, kemi një të mitur të dyshuar, i cili besohet se ka qenë i përfshirë në grup dhe jemi në kërkim edhe të 3 të tjerëve së paku, identitetin e të cilëve tashmë e kemi të njohur”, tha Besim Hoti.

Ngjarja ka shqetësuar banorët e “Kodrës së Minatorëve”, e cila sipas policisë njihet si lagje pa probleme të theksuara ndëretnike. Ndaj dhe, me kërkesë të banorëve shqiptarë dhe serbë, është larguar edhe pika patrulluese e Policisë së Kosovës. Por pas incidentit, pjesëtarë të policisë janë kthyer sërish në këtë pikë, ku kohë pas kohe patrullojnë edhe karabinierët italianë.

Top Channel