Hyn në fuqi MSA, Mustafa: Mundësi për bizneset e Kosovës

01/04/2016 14:25

Kosova ka nisur zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, e cila u nënshkrua më 27 tetor të vitit të kaluar në Bruksel. Kryeministri i Kosovës, i cili vizitoi Doganën për të parë nga afër hyrjen në fuqi të MSA-së, tha se bizneset kosovare do të kenë mundësi të mëdha për eksport.

“Nga sot kemi mundësinë që prodhuesit kosovarë të eksportojnë, përkatësisht të shesin në një treg prej 500 milionë konsumatorësh të Bashkimit Europian. Lirimi gradual nga të gjitha tarifat doganore nga BE-ja do të na shtyjë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik në të ardhmen”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Mustafa u shpreh optimist kur tha se, gjatë këtij viti, kosovarët do të përfitojnë edhe nga liberalizimi i vizave, duke pasur mundësi lëvizjeje dhe bashkëpunimi me biznese të ndryshme të vendeve të BE-së.

Kamioni i parë që përfitoi nga nisja e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ishte duke importuar detergjentë, ndërsa punonjësi i kompanisë importuese tregoi përfitimet e MSA-së në këtë rast.

“Po, për vlerën prej 12.570 eurosh, deri dje na është dashur të paguajmë 3.845 euro. Ndërsa sot po paguajmë 2.262 euro. Kjo do të thotë që paguan vetëm TVSH-në, sepse dogana nuk paguhet më”, tha Seat Shala, punonjës i kompanisë importuese.

Hyrjen në fuqi të MSA-së e kanë përshëndetur nga Brukseli përfaqësuesit më të lartë europianë. Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini ka thënë përmes një komunikate për mediat se, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit hap një fazë të re në marrëdhëniet BE-Kosovë.

Ndërsa Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn ka deklaruar se, MSA është një moment historik për marrëdhëniet BE-Kosovë dhe do ta ndihmojë Kosovën në rrugën e reformave, duke krijuar mundësi për tregti dhe investime.

Top Channel