Një dekadë zyrave të shtetit për të regjistruar pronën

31/03/2016 20:50

11 vjet përplasje dyerve të komunës, bashkisë, prefekturës dhe hipotekës për të regjistruar pronën të cilën vetë shteti ia kishte dhënë me ligjin 7501. Iu deshën një dekadë që të merrte një lloj sqarimi nga zyrat e hipotekës, që deri më sot nuk e informonin siç duhet, duke shamngur në këtë mënyrë edhe zbatimin e ligjit.

Për këtë arsye, zoti Feta Cane iu drejtua emisionit “Fiks Fare”. Banori i fshatit Leshincë të Pogradecit pretendonte se nga komuna Çërravë i ishte dhënë një sipërfaqe toke me ligjin 7501, në vitin 2005. Tokë kjo e cila kishte qenë dikur në pronësi të familjes Cane. Aplikimi më i fundit, në janar të vitit 2015, për regjistrim të pronës pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Pogradec kishte marrë një tjetër përgjigje negative. ZRPP-ja lokale nuk ia regjistronte pasi i kërkonte të plotësonte dokumentet tekniko-ligjore.

Sipas informacionit që “Fiks Fare” mori pranë këtij institucioni, nga komuna Çërravë në të njëjtin vit është kërkuar rikthimi i dokumentacionit të nisur prej saj, me arsyetimin se e njëjta sipërfaqe toke pretendohej të ishte ndarë edhe nga komuna Dardhas. Kështu, asokohe ky akt nuk u konfirmua nga qarku. Konfirmimi do të bëhej kur të saktësohej nëse kjo tokë ishte nën administrimin e komunës Dardhas apo komunës Çërravë.

Këtë situatë e qartësoi Gjykata e Pogradecit dhe më pas Gjykata e Apelit Korçë, ku me një vendim të formës së prerë u faktua se kjo pronë ishte nën  juridiksionin e komunës Çërravë. Pas vendimit të gjykatës, sërish Feta Cane nuk mundi ta regjistronte pronën e tij. Kryetari i ZRPP-së Pogradec, Nexhip Shkullaku pretendon se nuk i kishte ardhur zyrtarisht nga bashkia Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi. Sipas tij, zyrtarisht është kjo e fundit që duhet ta pëcjellë këtë akt pranë ZRPP-së.

Për kamerën e “Fiks Fare”, Nexhip Shkullaku, kryetar i Zyrës së Regjistrimit Pogradec deklaroi: “Ne si zyrë nuk e kemi Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi të zotit Feta Cane. Dhe kjo duhe të përcillet pranë zyrës nga komuna ose bashkia. Bashkia është institucioni përgjegjës për grumbullimin e të gjitha Akteve kur nuk janë të depozituara këtu. I konfirmojnë me plan vendosje dhe i dërgojnë pranë zyrës vendore. Ky dokument mua nuk më ka ardhur deri më sot”.

Përsa i takon vendimit të Gjykatës së Apelit Korçë, ai pretendon se është një vërtetim fakti juridik për përcaktimin e juridiksionit se kujt i përket kjo tokë. Megjithatë, “Fiks Fare” kërkoi sqarim edhe nga juristja e këtij institucioni, e cila pasi pa dokumentacioni deklaroi se nuk ka lidhje me vërtetimin e një fakti  juridik, por vetëm faktimin se kjo tokë e ndarë është nën juridiksionin e komunës Çërravë.

Përpara këtyre fakteve, kryetari i zyrës së regjistrimit tha se do t’i rishikonin edhe njëherë përgjigjet. Regjistruesi këmbënguli për kameran e “Fiksit”, që ky Akt duhet t’i vijë zyrtarisht nga bashkia dhe se ai nuk i është drejtuar kësaj të fundit me një shkresë, por Prefekturës Korçë. Madje, ai thekson se pranë zyrës që ai drejton nuk është i arkivuar ky akt, edhe pse me anë të një shkrese zyrtare i kërkon Komisionit të Vlerësimit, pranë Prefekturës Korçë,  konfirmimin e vlefshmërisë ligjore të AMTP-së në emër të zotit Feta Cane. Ndërkohë, Prefektura e Korçës e njihte shumë mirë rastin e këtij qytetari, pasi kishin dërguar shumë shkresa në ZRPP për problemin e zotit Cane.

“Fiks Fare” intervistoi juristin e prefekturës, Dorjan Kaçorri. “Ne e njohim shumë mirë rastin e zotit Feta Cane, pasi kemi shkëmbyer disa herë shkresa. Në njërën nga to, ZRPP-ja e Pogradecit na kërkon të konfirmojmë AMTP-në. Ne i kemi kthyer përgjigje që ne nuk konfirmojmë, por verifikojmë ligjshëmërinë. Ndaj i kemi kërkuar në bazë të ligjit të na bëjnë edhe një relacion për arsyen e kësaj kërkese. Ka kaluar gati një vit dhe nuk kemi marrë akoma një përgjigje”, deklaroi Kaçorri.

Për shkak se komunat nuk ekzistojnë më dhe tani ka vetëm njësi administrative në varësi të bashkive, “Fiks Fare” kontaktoi kordinatorin e njësive administrative pranë Bashkisë së Pogradecit, Nexhmi Torra. Ky i fundit deklaroi se, as pranë kësaj bashkie, në asnjë kohë nuk ka ardhur ndonjë kërkesë nga Zyra e Regjistrimit të Pogradecit lidhur me çështjen e zotit Feta Cane. Ashtu si nuk ka ardhur asnjë ankesë as nga vetë personi në fjalë.

Ligjërisht, sipas tij, është ZRPP-ja ajo që duhet t’i drejtohet bashkisë me një kërkesë e më pas njësitë administrative venë në lëvizje institucionet përgjegjëse për zgjidhjen e këtij problemi. “Zoti Cane është i lutur të bëjë një ankesë pranë bashkisë dhe ne do ta ndjekim rastin e tij”, tha Torra.  

Top Channel