Kosovë, zgjidhet rektori i ri i Universitetit të Prishtinës

31/03/2016 00:00

Profesori i Matematikës, Marjan Dema është zgjedhur në postin e rektorit të Universitetit Publik të Prishtinës, “Hasan Prishtina”. Ai mori 7 vota nga 9 anëtarë të Këshillit Drejtues të UP-së, ndërsa do ta marrë zyrtarisht mandatin nga dita e premte, për të vijuar deri në vitin 2020.

“Më kanë përkrahur studentët, më kanë përkrahur profesorët, Senati, të gjithë. Ndihem tepër i privilegjuar me gjithë këtë përkrahje që më kanë dhënë. Politika nuk ka qenë kundër, nuk mund të shtoj diçka tjetër, përpos të përmend palët me të cilët do të punoj. I dua shumë, më duan shumë dhe do të vazhdoj t’i respektoj në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Marjan Dema, rektor i UP-së.

Marjan Dema, i sapozgjedhur në krye të universitetit, është një ndër emrat e përfolur në shtyp si një prej akademikëve, që kanë përparuar në karrierë me punime shkencore të publikuara në revista anonime në Indi, arsye për të cilën u detyrua të dorëhiqej ish-rektori Ibrahim Gashi në vitin 2014.

Karrierën e tij në universitet e ka nisur në vitin 1980, në Departamentin e Matematikës, ndërsa për 3 vite ka qenë zv.rektor i UP-së dhe anëtar i Këshillit Drejtues.

Rivalët e tij në garë ishin profesori i Inxhinierisë Mekanike, Xhevat Berisha; profesori i Veterinarisë, Afrim Hamidi dhe profesori i Bujqësisë, Nuredin Mestani.

Rektori i ri pason në këtë post Ramadan Zejnullahun, një prej drejtuesve më popullorë të këtij institucioni, i cili dha dorëheqjen pak muaj më parë, i pakënaqur me zhvillimet brenda universitetit shtetëror të Kosovës, gjë që çoi institucionin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Top Channel