Demarkacioni me Malin e Zi, Haradinaj-Jahjagës: Hetim ndërkombëtar komisionit

31/03/2016 00:00

Publikimi i raportit të 3 ekspertëve ndërkombëtarë për demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi nuk ka arritur të bindë partitë opozitare, të cilat vazhdojnë të këmbëngulin se kufiri ka lëvizur në dëm të Kosovës.

Udhëheqësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, që ka qenë më i zëshmi kundër shënimit të vijës kufitare, i ka dërguar të enjten një letër Presidentes Atifete Jahjaga, nga e cila ka kërkuar hetimin e anëtarëve të Komisionit shtetëror të Demarkacionit.

“Prandaj unë kërkoj nga Ju, që zyrtarisht të kërkoni një hetim ndërkombëtar për anëtarët e Komisionit shtetëror të Kufirit, që do të kryhej nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI), në mënyrë që të zbardhet e vërteta për rolin kriminal, që anëtarët e këtij komisioni kanë pasur në procesin e Demarkacionit”, shkruan Ramush Haradinaj në rrjetin social Facebook.

Punën e komisionit të ekspertëve ndërkombëtarë e ka hedhur poshtë edhe shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i cili tha gjatë një konference se, nga 3 ekspertë, vetëm njëri i përkiste fushës së demarkacionit.

Konjufca ka paraqitur një hartë të realizuar në 1998-n nga Murat Meha, që ishte kryetar i Komisionit shtetëror të Demarkacionit, hartë që mbështet pretendimet e opozitës se, Kosova ka humbur territor.

E ndërsa opozita ka kundërshtuar raportin e ekspertëve ndërkombëtarë, Ambasada e SHBA-ve në Kosovë e ka mbështetur atë dhe ka kërkuar nga partitë politike, që t’i kthehen punës për të çuar Kosovën përpara, në rrugën e saj drejt institucioneve euroatlantike.

Edhe kryeministri Isa Mustafa i ka dhënë mbështetje raportit të ekspertëve ndërkombëtarë, ndërsa gjatë vizitës që ka pasur të enjten në komunat kufitare me Malin e Zi ka thënë se, Kosova nuk ka humbur asnjë metër katror.

Top Channel