Protestuesit tek Liqeni janë konfrontuar sërish me policinë, teksa disa prej tyre janë shoqëruar edhe në komisariat. Protesta e organizuar nga FRPD-ja, ka nisur rreth orës 11.00 kundër projektit të bashkisë për ndërtimin e këndit të lojërave tek Liqeni.
Një kordon policie është vendosur rreth projektit që po ndërtohet, ndërsa protestës i janë bashkuar edhe deputetë të PD-së dhe shoqëria civile dhe nuk është dashur shumë që situata të kalonte në përplasje.
Duke reaguar pas protestës dhe konfrontimeve fizike me forcat e rendit, kryetari i grupit parlamentar të PD Edi Paloka ka deklaruar se, “sot jemi para dëshmisë së një shteti inekzistent, të një shteti pa drejtësi, i cili dënon e burgos të pafajshëm që s’kanë të paguajnë energjinë elektrike, por ndërkohë vë me qindra forca policie në mbrojtje të atyre që shkelin hapur dhe përditë ligjin”.
“Duhet të kenë parasysh të gjithë qytetarët shqiptarë dhe këta policë që janë këtu, detyrimin e kanë përballë Kushtetutës dhe Kushtetuta u thotë qartazi se edhe policia edhe polici më i thjeshtë dhe jo vetëm shefat e tyre duhet të zbatojnë ligjin dhe jo urdhërat e paligjshëm. Përndryshe do të përgjigjen një më një, kokë më kokë për shkeljet e ligjit, atëherë kur ligji të vendoset”, ka deklaruar Paloka.
Denoncimeve i është bashkuar edhe deputeti tjetër i PD, Gent Strazimiri. “Është qartësisht ky tender 700 milionësh që po harxhohet, është prioriteti i vetëm i Policisë së Shtetit dhe kësaj qeverie. Është numër rekord i policëve, në 25 vjet demokraci kjo është policia që godet opozitën, që sillet brutalisht deri sa refuzon të lëvizë ambulancën me njerëz që ndjeheshin keq në protestë për të shkuar në spital”, ka deklaruar Strazimiri.
Top Channel