Kosovë, mbështetësve të terrorizmit do t’u konfiskohen pasuritë

26/03/2016 17:40

Biznesmenit të njohur nga Peja, Fatos Rizvanolli, i cili u arrestua një javë më parë nga policia nën akuzën e financimit të grupeve terroriste shqiptare në ISIS, mund t’i sekuestrohet e gjithë pasuria.

Ai dyshohet se paguante udhëtimet e rekrutëve terroristë jashtë Kosovës. Tashmë, me ligjin e ri për konfiskimin e pasurisë të miratuar këtë javë në Kuvend, atij dhe çdo qytetari në Kosovë që financon terrorizmin do t’i sekuestrohet pasuria në bazë të një neni të veçantë.

Drejtori i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar, Rrahim Rama ka konfirmuar për Top Channel se në ligjin e ri, për herë të parë futet termi “pronë terroriste”.

“Me ligjin tonë natyrisht që ne e administrojmë edhe pronën terroriste, që mund të përdoret për akte terroriste, apo që është përfituar nga aktet terroriste. Madje, mund të themi se është hera e parë që termi “pronë terroriste” futet përmes këtij ligji në Kosovë, sepse ka munguar në Kodin Penal dhe ligjet e tjera të aplikueshme në vend”, deklaron Rama.

Nga viti 2010, prej kur është formuar Agjencia, në Kosovë janë konfiskuar mbi 50 milionë euro pasuri. “Ne kryesisht administrojmë pasuri nga krimi i organizuar dhe pastrimi i parave. Deri më tani, Agjencia administron mbi 30 milionë euro pasuri në fazën e sekuestrimit. Mirëpo, në nivel republike, pasuritë e kalojnë këtë shifër, arrijnë diku në 55 milionë euro, pasuri që janë në fazën e sekuestrimit”, nënvizon Rama.

Pjesën më të madhe të pasurisë së konfiskuar e përbëjnë makinat luksoze, të cilat qëndrojnë me vite në një depo, në një fshat pak kilometra larg Prishtinës, derisa gjykatat të nxjerrin vendimet përfundimtare për pronarët e tyre. Pas vendimeve për konfiskim, sipas ligjit, ato kalojnë në pronësi shtetërore.

Top Channel