Kuvendi i Kosovës, një minutë heshtjeje në nder të viktimave të Belgjikës

24/03/2016 00:00

Kuvendi i Kosovës e ka nisur seancën plenare të së enjtes me një minutë heshtjeje për nder të viktimave të sulmeve terroriste në Bruksel.

Më tej, duke folur për terrorizimin, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, nga foltorja e Kuvendit ka ftuar kosovarët që luftojnë në Siri, të kthehen në vendlindje.

“Ftoj të gjithë qytetarët tanë, edhe pse në numër shumë të vogël të cilët mund të jenë aktualisht në fronte lufte, që të dalin prej tyre dhe të jenë të vetëdijshëm për dëmin që po i shkaktojnë vetvetes, po u shkaktojnë viktimave atje, por edhe dëmin që mund të ketë vendi ynë nga veprime të tilla të dhunshme”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Përpara se të fillonte shqyrtimin e pikave të rendit të ditës, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka shprehur falënderimin për NATO-n, që më 24 mars 1999 nisi sulmet mbi objektivat e ushtrisë serbe, e cila deri tëherë po kryente masakra ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Në të njëjtën seancë, Kuvendi i Kosovës ka formuar edhe organin e pavarur për përzgjedhjen e anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, për të cilët u vendos që të votohen në një seancë të re, më 30 mars.

Edhe në këtë seancë deputetët e opozitës nuk morën pjesë, ndërsa kryeparlamentari Veseli sërish u bëri thirrje që të kthehen në institucione.

Top Channel