
Ngjarjet tragjike të Brukselit dëshmuan edhe një herë se, të menduarit e politikës në dy linja të mëdha, atë të brendshme e të jashtme, ndoshta duhet të ndryshojë, sepse në thelb nuk do të ndahen dot më aq lehtë.
E vërteta është se, problemet e Lindjes së Mesme të fragmentarizuar po kthehen me një shpejtësi të frikshme në probleme të brendshme të Europës.
Qoftë terrorizmi, dallga e emigracionit, e ardhmja e Libisë, politikat bërthamore të Iranit, apo dhe marrëdhënia e vështirë me Turqinë, të gjitha këto po e afrojnë gjithmonë e më shumë rajonin e trazuar me ndërgjegjen europiane, thotë Jonathan Marcus i BBC-së.
Pavarësisht pozicionit gjeografik, afërsia e Lindjes së Mesme me kontinentin e vjetër po rritet. Globalizmi e ka shtuar joshjen për zonën ekonomike europiane, ndërsa ka nxjerrë gjithmonë e më shumë në pah mangësitë e thella në pjesën dërrmuese të botës arabe.
Globalizimi i kulturës ka ndikuar gjithashtu në tkurrjen e distancave, duke u shndërruar në faktor me rëndësi në çështjet botërore. Problemi është se, kjo hapje nuk përjashton dot eksportimin e telasheve.
Kriza e vendeve të bllokut sa vjen e thellohet, – vëren Marcus, – dhe sot për Europën, Lindja e Mesme nuk është më thjesht një koleksion shtetesh të huaja, të lidhura me një të shkuar të vaktë koloniale.
Top Channel