
Sulmet terroriste të Brukselit kanë nxitur institucionet europiane që të hartojnë e miratojnë masa të reja sigurie. Ndër këto përforcime ekspertët e Bashkimit Europian parashikojnë edhe një plan për vendosjen e skanerëve të sigurisë që tek portat hyrëse të aeroporteve.
Kryeministri francez Manuel Valls mbajti një koferencë të përbashkët për shtyp me presidentin e Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, ku deklaruan se, nëse shtetet anëtare do të kishin ndjekur që më herët propozimet e KE, skenari terrorist i Brukselit do të ishte parandaluar.
“Ne kemi nevojë për të aplikuar regjistrimin e të dhënave të pasagjerëve. Komisioni Europian prej muajsh e ka propozuar këtë. Pas sulmeve të Parisit, Franca ishte ajo që e kërkoi për ta aplikuar, por tani miratimi është në duart e Parlamentit Europian”, deklaroi Juncker.
Krijimin e një baze me të dhënat e pasagjerëve që udhëtojnë në rrugë ajrore e mbështeti edhe kryeministri francez. “Neve na duhet edhe një marrëveshje për çështjen e rojeve kufitare. Të gjithë duhet të biem dakord për të hartuar një pakt evropian të sigurisë”, deklaroi Valls.
Ndërsa në një deklaratë tjetër për shtyp, komisioneri i BE për Emigracionin, Dimitris Avramopoulos u shpreh se sulmet e Brukselit dëshmojnë ekzistencën e nevojës urgjente për më shumë koordinim mes vendeve dhe shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës. “Dhe mbi të gjitha, EUROPOL-i duhet të jetë më prezent se kurrë”, tha ai.
Top Channel