Bloomberg publikon telefonatën mes të dërguarit të SHBA-së dhe këshilltarit të Putin, ja si i udhëzoi Witkoff rusët që t’i “shisnin” planin 28 pikësh Trumpit Që prej sulmeve të 13 nëntorit në Paris, autoritetet belge kanë ndërmarrë me dhjetëra operacione sigurie, kanë spastruar lagje të tëra, e madje e mbyllën thuajse plotësisht kryeqytetin për disa ditë.
Por, asnjëra prej këtyre përpjekjeve nuk arriti t’i trazonte planet e terroristëve për sulmet e koordinuara në aeroportin kryesor ndërkombëtar të Brukselit dhe stacionin e metrosë në Maalbeek.
Ky i fundit sidomos, përpos se përpjekje për të mbjellë terror, ishte një sinjal për bllokun europian. Me shpërthimin në Maalbeekun e ndodhur fare pranë institucioneve të BE-së u tregua se, ideja e paprekshmërisë nuk duhet parë më si e patjetërsueshme.
Ngjarjet e fundit nxorrën në pah jo thjesht dobësinë e shërbimeve belge të sigurisë. Për ekspertët e inteligjencës, ato dëshmojnë sesa e cënueshme është Europa sot, në epokën e udhëtimit të kollajshëm, komunikimit të shpejtë dhe militantizmit në rritje.
Pyetja që shtrohet tani është: si duhet vepruar në vazhdim? Shërbimeve europiane të sigurisë, me shumë gjasë do t’u duhet të dyfishojnë përpjekjet e tyre, edhe me rrezikun e rrudhjes së mëtejshme të lirive qytetare, në të kundërt, sulmet si këto të Brukselit – thotë “New York Times”, – do të bëhen pjesë e pashmangshme e jetës në shoqërinë e hapur europiane.
Problemet që has Belgjika kërcënojnë tanimë jo vetëm shtetasit e saj, por edhe vet eksperimentin e integrimit të kontinentit të vjetër. Sesa do të jetë e aftë BE-ja t’i qëndrojë angazhimit të saj për kufij të hapur, një sfidë që i shtohet viteve të tëra krize ekonomike, kjo për të përditshmen prestigjioze mbetet për t’u parë.
Shërbimet sekrete e kanë përsëritur vazhdimisht se, një goditje terroriste në tokën europiane do të ishte thjesht çështje kohe. Shpërthimet e së martës shtojnë drojën se, edhe me masat më të jashtëzakonshme të sigurisë, shoqëritë europiane nuk do të jenë kurrë të përjashtuara nga çdo rrezik.
Top Channel