Kosovë, aksion kundër informalitetit e kontrabandës; 20 të arrestuar

22/03/2016 00:00

Dogana e Kosovës ka realizuar një operacion të koduar me emrin “Qarku”, me mbështetjen e Policisë së Kosovës, kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës në të gjithë Kosovën.

Plot 20 shtetas të Kosovës kanë përfunduar në pranga dhe 27 të tjerë janë të dyshuar e do të procedohen në gjendje të lirë. Me urdhër të Prokurorisë, Dogana ka ngrirë 132 llogari bankare brenda vendit, janë sekuestruar rreth 7 milionë cigare me vlerë rreth gjysmë milioni euro, barna të llojeve të ndryshme, përfshirë këtu 10 mijë copë “Viagra”.

Gjatë një konference për shtyp, ku drejtori i Doganës së Kosovës bëri bilancin e operacionit, ai tha se janë konfiskuar po ashtu  61 mijë euro dhe mbi 125 mijë dinarë serbë, 13 automjete, 6 armë dhe 220 copë municion.

“Ky është aksioni më i madh i Doganës së Kosovës, që ka ndërmarrë që pas vitit 1999, në luftimin e informalitetit. Përkatësisht në luftimin e krimit të organizuar, të kontrabandimit të mallrave me akcizë”, tha Lulzim Rafuna, drejtor i Doganës së Kosovës.

Operacioni është zhvilluar në 68 vendndodhje në rajonet e Prishtinës, Mitrovicës, Vushtrrisë, Pejës, Gjakovës dhe Prizrenit, ku janë angazhuar 650 zyrtarë doganorë dhe policorë.

Sipas Doganës, grupi ka qenë i strukturuar jashtëzakonisht mirë, i organizuar me logjistikë e pajisje, të cila u mundësonin kontrabandimin, duke shfrytëzuar edhe vijën e gjelbër kufitare, por edhe përmes vendkalimeve kufitare në veriun e Kosovës.

Top Channel