Gjenerali amerikan vizitë në Tiranë

21/03/2016 00:00

Situata në rajon dhe veçanërisht në kufijtë lindorë dhe ato jugorë të Aleancës së NATO-s, ka qenë arsyeja e vizitës së komandantit të Forcave Tokësore amerikane në Europë, Gjeneral Lieutenant Ben Hodges.

“Samiti tjetër i NATO-s do të jetë në korrik në Varshavë dhe besoj se synimi kryesor do të jetë shmangia apo parandalimi i agresionit rus në veri, duke mos harruar dhe pjesën jugore. Pra dhe njëherë arsyeja kryesore pse ndodhem këtu është për t’u njohur me sfidat që ju përballeni dhe se si Amerika mund të japë ndihmesën e saj në këtë drejtim”, tha gjenerali Ben Hodges.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe gjeneral major Jeronim Bazo. “E sigurova gjeneralin se Shqipëria po ndjek me kujdesin e duhur zhvillimet në mjedisin e sigurisë dhe në mënyrë të veçantë zhvillimet në kufijtë lindorë dhe jugorë të Aleancës. Njëkohësisht e informova gjeneralin edhe me kujdesin e shtuar nga ana jonë për implikimet që mund të sjellin zhvillimet më të fundit në kufijtë jugorë të Aleancës, që vjen edhe si rezultat i valës së emigrantëve”, tha gjeneral Bazo.

Top Channel