Avioni i dyshimtë, mendohet se u ngrit nga Vlora dhe shkoi drejt Italisë

21/03/2016 00:00

Avioni sportiv që shkeli hapësirën ajrore shqiptare dhe që u pikas në Akërni të Vlorës rreth orës 05:00 të mëngjesit të së dielës jo vetëm që ju fsheh policisë shqiptare, por mundi t’i shpëtojë edhe ndjekjes së disa mjeteve ajrore ndër më të sofistikuara të fqinjëve italianë.

Në shkëmbimin e informacionit të policisë shqiptare me atë italiane, u raportua se mjeti u fsheh në disa kodra në një lartësi të ulët nga toka dhe se drejtohej nga një pilot tepër profesionist, aq sa dyshimet e ngritura janë për ndonjë ish-pilot ushtarak, kombësia e të cilit ende nuk është gjetur.

Në ajër në hapësirën italiane u ngrit për ta bllokuar një skuadrile ushtarake “Eurofighter” nga një bazë n Bari. Avioni fluturoi aq ulët sa nuk mund të kapej prej tyre, ndaj u desh ngritja e helikopterëve të specializuar në ndjekje, por edhe ata nuk munden dot ta bllokojnë dhe humbën gjurmët e tij.

Policia shqiptare njoftoi zyrtarisht 36 orë më pas operacionit, se në orët e para të mëngjesit të datës 20 mars, në fshatin Akërni, lëvizte në hapësirën ajrore një avion i vogël. Pas dhënies së sinjalit, Policia e Vlorës, ajo kufitare dhe specialet e Delta Force u vunë në lëvizje, por pa rezultat.

Policia shqiptare kreu veprimet e saj dhe doli në dyshimin se avioni ishte pjesë e një rrjeti trafikantësh të lëndëve narkotike.

Top Channel