Vrasës me pagesë për ish-policin?

19/03/2016 15:50

Prokuroria e Tiranës ka dyshime të forta se vrasja e ish-policit Ajet Zeqaj mund të jetë kryer nga vrasës me pagesë.

Shkak i këtyre dyshimeve është e kaluara e viktimës, për të cilin policia shqiptare ka kërkuar të dhëna nga Interpoli mbi  aktivitetin e tij në Francë, vend ku ai ishte zhvendosur prej vitesh.

Sipas Prokurorisë, skema e vrasjes së Ajet Zeqajt është e mirëmenduar. I kthyer në Tiranë  nga Franca në fillim të shkurtit, ai  është ndjekur dhe vëzhguar nga autori derisa është qëlluar për vdekje në Rrugen Nikolla Tupe.

Hetuesit nuk përjashtojnë as pistat për konflikte të një borxhi, por pista më e besueshme për ta ka lidhje me vrasje me paramendim për çështje droge, dyshim që bazohet tek lidhjet e tij të mëparshme shoqërore. Nga ana tjetër, policia ka pyetur edhe familjarë të ish-bashkëshortes së Zeqajt, si pjesë e veprimeve hetimore, pa mundur të konfirmojnë dyshimet e tyre se vrasja e Zeqajt mund të kishte ndodhur edhe për shkak të divorcit të çiftit Zeqaj.

Policia thotë se pas sekuestrimit të pamjeve të kamerave të të sigurisë përrreth bizneseve ku ndodhi vrasja,  ekspertët kanë këqyrur ato, pa dalë në një rezultat që do t’i ndihmonte për të dhënat e autorit.

Top Channel