Veliaj mbjell pemë: I pabesueshëm lulëzimi i kafeve dhe parkingjeve

19/03/2016 00:00

Bashkia e Tiranës ka vendosur të mbyllë të gjitha hyrjet për mjetet motorike, përfshirë edhe hyrjen pranë fakultetit të Histori-Filologjisë në hapësirën e liqenit artificial.

“Më duket e paarsyeshme që në 4 vitet e fundit kanë lulëzuar më shumë kafet, parkingjet, lavazhet dhe të gjitha hapësirat e zëna në mënyrë të paligjshme, sesa këndet e lojërave për fëmijë apo hapësirat për të mbjellë pemë dhe drurë në Parkun e Liqenit”, tha kryetari Erion Veliaj.

Pikërisht për këtë arsye, Veliaj tha se gjatë muajit prill do të nisë një aksion për prishjen e të gjitha objekteve të aktivitetit privat pa leje në park.

“Gjatë muajit prill Bashkia e Tiranës do të fillojë aksionin për prishjen e mbi 100 ndërtesave pa leje, të palegalizuara, të pahipotekuara, të cilat kanë zaptuar liqenin. Pas kësaj do të vendosim edhe kufizime shumë të rrepta për të larguar gjithë lavazhet dhe gjithë parkingjet që kanë ngrënë copa të liqenit”, tha Veliaj.

Këto deklarata, Veliaj i bëri gjatë aksionit për mbjelljen e 200 pemëve të tjera të llojit selvi, që janë mundësuar nga Bashkia e Tiranës dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane.

Pemët u mbollën në rrugën hyrëse të Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës, në zonën e Fakultetit Gjeologjik, e cila do të emërtohet edhe si “Rruga e 1000 Selvive”, ashtu si ka hyrë në memorien kolektive të Kryeqytetit për shkak të mbizotërimit të kësaj peme aty.

Top Channel