Hetimet për serverin e Tatimeve, nëpunësi rrëzon ish-ministrin Cani

18/03/2016 00:00

Gjergji Nestori, përgjegjësi i Sektorit të Zhvillimit të Programeve në Drejtorinë e Tatimeve, nuk ka konfirmuar arsyet e parashtruara nga ish-ministri i Financave Shkelqim Cani, për auditin e kryer në serverin e Tatimeve nëntorin e vitit 2013.

Që në fillim Nestori i kërkoi Komisionit që të mos regjistrohej me fytyrë nga kamerat, kërkesë e cila u pranua nga Komisioni.

“Unë nuk kam dijeni që në 17 vjet që punoj në administratën tatimore të ketë patur probleme sistemi i rimbursimit”, deklaroi Nestori.

Edhe sa u takon verifikimeve në sistemin e serverave për rimbursimin e TVSH-së, Gjergj Nestori pati një përgjigje të ndryshme nga ajo e ish-ministrit Cani.

“Sistemi reflektonte përfundimin e procedurës së rimbursimit, pra bëhej me dokumenta pastaj pasqyrohej në sistem”, thotë ai.

Në dëshminë e tij, Nestori deklaroi se ishte vënë në dijeni të ngjarjes me serverin, kur i kishin kërkuar që të rikuperonte të dhënat e zhdukura nga serveri i Tatimeve, pasi aty më parë ishin futur grupi i auditit i Ministrisë së Financave.

Top Channel