Kisha kërkon trashëgiminë, objektet e kultit, ikonat, arkivat, eshtrat…

17/03/2016 00:00

E vetëdijshme se një pjesë e madhe e pronave të saj të patundshme janë të zëna, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë kërkon tashmë nga Qeveria shqiptare kthimin e objekteve të kultit, që janë edhe në fondin e Trashëgimisë Kulturore shqiptare.

“Kjo nuk do të thotë që këto do t’i marrë kisha dhe ato do të dalin nga të qenit monumente kulture. Ato gjithmonë mbeten vlera të veçanta të kulturës kombëtare. Por, duhet të kthehen te pronari, sepse janë krijuar për një qëllim të caktuar”, thotë Thoma Dhima, zëdhënës i Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare.

Por, veç objekteve të kultit, Dhima liston dhe një sërë problemesh të tjera.

“Kemi eshtrat e shenjtorëve, lipsanet e shenjta. Ato janë thjesht objekte besimi dhe përkushtimi të besimtarëve, ku ata luten. Ato që qëndrojnë ende nëpër muze janë ikonat. Është e qartë që disa prej tyre kanë vlera të veçanta dhe kërkojnë një ruajtje të veçantë. Problemi është se janë me mijëra ikona që janë nëpër depo. Arkivat e Kishës Ortodokse u morën dhe u çuan në Arkivën e Shtetit, për shembull regjistrat e pagëzimit ndodhen edhe sot e kësaj dite në arkivë”, thotë më tej Dhima.

Këto kërkesa të Kishes Ortodokse duket se vijnë në një kohë kur donacionet e njerëzve kanë rënë dhe fondet e kishës janë të pakta.

“Nuk ka ndonjë gjë të re, që donacionet, shitja e qirinjve etj., nuk mbulojnë shpenzimet. Kisha nuk mund të jetë jashtë situatës së përgjithshme. Situata ekonomike e njerëzve ndikon shumë”, shprehet ai.

Këto reagime erdhën një ditë pas publikimit të vendimit të Asamblesë kleriko-laike të Kishës Ortodokse.

Top Channel