
Plotësimi i formularit A1 nga maturantët ka nisur tashmë, ndërsa këtë vit, vendimtare për kandidatët do të jetë mesatarja e gjimnazit. Disa universitete e kanë vendosur tashmë si kriter mesataren minimale që u mundëson hyrjen në garë me të tjerët.
Universiteti i Mjekësisë, por edhe ai Politeknik në Tiranë janë dy nga institucionet e arsimit të lartë që kanë të përcaktuar deri nivelin e mesatares minimale.
“35 përqind do të jetë mesatarja e tre viteve të gjimnazit, 35 përqind do të jenë nga matura shtetërore, provimet me zgjedhje dhe 30 përqind janë tre lëndë. 8.5 nuk është e ulët”, thotë Arben Gjata, Rektor i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë.
“70 përqind të jetë mesatarja e 4 viteve dhe 30 përqind mesatarja e matematikës, fizikës dhe kimisë dhe kjo e matur për të katër vitet, futur këtu edhe koeficientët e shkollave të mesme, sepse jo të gjitha shkollat e mesme kanë të njëjtin koeficient”, sqaron Jorgaq Kacani, Rektor i Universitetit Politeknik.
Formulari A1, në të cilin maturantët deklarojnë lëndët me zgjedhje ku do të testohen është i vlefshëm që prej datës 10 mars. Plotësimi i tij do të bëhet fillimisht online e më pas në shkollën përkatëse në periudhen 25 mars deri më 10 prill.
Krahas lëndëve me zgjedhje, maturantët duhet të përfundojnë edhe provimet e lëndëve të detyrueshme, të cilat së bashku me mesataren dhe koeficientin, plotësojnë formulën e përllogaritjes së pikëve të çdo kandidati.
Top Channel