Hetimi për serverin e Tatimeve, dëshmon ish-drejtori IT

16/03/2016 00:00

Komisoni Hetimor Parlamentar për serverin e Tatimeve ka vijuar punën me pyetjen e ish-drejtorit të IT në Drejtorinë e Tatimeve, Renald Rista, i cili ka qenë edhe i arrestuar nga Prokuroria, në lidhje me skandalin e serverit të tatimeve.

Rista deklaroi se eprorja e tij e drejtpërdrejtë, Drejtoreja e Tatimeve e kishte urdhëruar verbalisht që t’i krijonte akses grupit të Auditit të Ministrisë së Financave, grup i cili sipas Ristës, ka kryer veprime të kundraligjshme me të dhënat e Tatimeve.

“Kam marrë një urdhër verbal nga drejtori ku më është kërkuar që t’u lejoja akses këtyre personave, t’u hapja rrugë sepse ka marrë urdhër nga ministri dhe Kryeministrit. Këta persona kanë kopjuar të dhënat, një pjesë e madhe e të cilave kanë dalë jashtë institucionit, paçka se ishte e ndaluar me ligj të veçantë”, thotë Rista.

Gjatë dëshmisë ish-drejtori i IT Renald Rista, deklaroi se pasi ishte liruar nga arresti kishte mësuar se pyetjet që i ishin bërë në Prokurori ishin hartuar më parë nga persona, pjesë e qarqeve politike, që ishin të përfshira në klonimin e të dhënave të serverit të tatimeve.

Sipas Ristës të dhenat e klonuara mund të përdoren për të shantazhuar bizneset si nga politika, por edhe nga aktiviteti kriminal nëse i zotëron ato.

Top Channel