Tahiri: Luftë me krimin dhe gjyqtarët e korruptuar

15/03/2016 00:00

Pas krimit, për ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, armiku më i madh janë gjyqtarët e korruptuar. Ministri reagoi shumë ashpër ndaj disa vendimeve të dhëna nga gjykatat, që kanë liruar persona të arrestuar për armëmbajtje pa leje, ose edhe të akuzuar për krime të tjera, siç ndodhi një ditë më parë me një person të dënuar në Francë për trafik droge.

“Armiku ynë më i madh, përvec atij që është në rrugë, është ai që fshihet pas çekiçit dhe që rreh çekiçin e korruptuar për të liruar atë që policia arreston. Unë respektoj çdo gjyqtar të ndershëm, çdo union që mbron interesat më të larta të publikut, por as respektoj dhe as do të ndaloj së denoncuari publikisht çdo gjyqtar të korruptuar”, tha ministri i Brendshëm.

Tahiri e bëri këtë deklaratë në ceremoninë për fillimin e procesit të testimit të kandidatëve për shkollën bazë të policisë.

Kryeministri Edi Rama, theksoi se ministri i Brendshëm ka një meritë të veçantë në transformimin e Policisë së Shtetit, ndaj dhe ai është personi më i sulmuar nga opozita.

“Është ministri i Brendshëm ndaj të cilit vazhdon një ofensivë e organizuar dhe e përditshme që ka prodhur në dy vite e gjysmë mbi 1300 deklarata. Nuk ka një reformë reale nëse nuk ka një furi balte për t’iu kundërvënë reformës dhe njerëzve që bëjnë reformën”, deklaroi kryeministri Rama.

Top Channel