Kushte të qëndrueshme atmosferike, parashikimi i motit për këtë të martë
Lajmi për caktimin e datës së Shenjtërimit të Nënë Terezës është përshëndetur edhe nga politika shqiptare.
Kryeministri Edi Rama, përmes rrjeteve sociale shkruan se “pas Lumturimit, 13 vjet më parë, Nënë Tereza ngjiti sot qiellin e lavdisë së altareve të mbarë Kishës së përbotshme, falë vullnetit të Papa Françeskut. Ajo i’u bashku kështu edhe shenjtëve që Shqipëria i ka përfalur njerëzimit dhe besimit tash sa mot”.
Kreu i qeverisë shqiptare e sheh Shenjtërimin e Nënë Terezës si një uratë për lumturimin e 40 klerikëve të ekzekutuar nga regjimi komunist.
“Nënë Tereza është e parëlindura shenjtore shqiptare e shekullit të ri dhe me siguri, një uratë për lumturimin e 40 martirëve shqiptarë, të cilët u përdëllyen në mbrojtjen e besimit dhe të ndërgjegjes përgjatë kalvarit të ferrit komunist, në shekullin që lamë pas!”, mbyll komentin e vet në rrjetet sociale Rama.
Firmosja e dekretit të Shenjtërimit nga Papa Françesku është përshëndetur edhe nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta.
“Nënë Tereza, nëna shqiptare që jetën e saj e vuri në shërbim të plotë të të varfërve dhe njerëzve në nevojë. Shenjtërimi i Nënë Terezës më 4 shtator 2016, jep mesazhin e paqes, mirësisë dhe dashurisë, vlera që në botën e sotme plot me pasiguri, kriza të njëpasnjëshme, akte terroriste e fatkeqësi natyrore, janë më të nevojshme se kurrë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Metës.
Top Channel