Nishani përuron bustin e Papa Françeskut në Tiranë

15/03/2016 00:00

Presidenti Bujar Nishani mori pjesë paraditen e sotme në ceremoninë e përurimit të bustit të Atit të Shenjtë, Papa Françeskut në Tiranë. Busti ka si autor skulptorin Qazim Arifi.

Në përurimin e tij ishin të pranishëm anëtarë të qeverisë, deputetë të Kuvendit, nunci apostolik Imzot Ramiro Moliner Ingles, përfaqësues të trupit diplomatik, kryebashkiaku Erion Veliaj, etj.

Në fjalën e tij, kreu i shtetit u shpreh i emocionuar për faktin se, objekti po përurohet pikërisht në bulevardin të cilin Papa e përshkoi personalisht dhe prej nga bekoi popullin shqiptar.

“Jemi të gjithë dëshmitarë se si busti i Atit të Shenjtë po përurohet pikërisht këtu, pranë Këmbanës së Paqes dhe aq më tepër, përpara ish-muzeut të diktatorit, ideologjia e dështuar e të cilit dikur u përpoq jo vetëm të shembte kisha e xhamia, të burgoste e të vriste klerikë e besimtarë të pafajshëm, por madje të na shpallte të gjithëve pa përjashtim ateistë”, tha Nishani.

Top Channel