Policia: Nuk mund të jemi vend tranzit, Shqipëria s’ka portë dalëse

14/03/2016 15:10

Në rast se kufijtë shqiptarë do të përballen me një dyndje të emigrantëve, Policia e Shtetit do të kërkojë ndihmën e ushtrisë, si dhe të autoriteteve të tjera shtetërore.

“Në rastet që është e papërballueshme nga policia kufitare do aktivizohen të gjithë përfaqësuesit e autoriteteve që veprojnë. Duke mos përfshirë vetëm ushtrinë, por ministria e shëndetësisë, pushteti lokal, organizma joqeveritare e ndërkombëtare”, deklaron drejtori i përgjithshëm i Kufirit, Genc Merepeza.

Në një prononcim për Top-Channel, ai bën me dije se deri më tani nuk është konstatuar asnjë rast i organizuar për trafikimin e emigrantëve dhe thotë se Shqipëria nuk është një vend tranzit në kushtet kur nuk ka një portë dalëse.

“Nuk kemi asnjë tentativë të grupeve të organizuara të trafiqeve të qënieve njerëzore që të marrin njerëz për t’i kaluar përmes Shqipërisë drejt vendeve të tjera. Shqipëria nuk është si korridori maqedonas, sepse duke qenë se nuk kemi një portë daljeje, ata emigrantë mund të vijnë për të kërkuar mbrojtje humanitare, por jo për të kaluar tranzit në vendet e tjera”, thotë Merepeza.

Sipas burimeve nga policia, në bazë të kapaciteteve, Shqipëria mund të përballojë pritjen e jo më shumë se 2 mijë emigrantëve.

Ndërkohë, javën e kaluar mësohet se 5 shtetas marokenë u kapën teksa kishin mundur të depërtonin nga Gjirokastra dhe më pas janë kthyer pas.

Po ashtu konfirmohet se në kufijtë shqiptarë ende nuk kanë mbërritur ekspertët italianë, të cilët pritet të asistojnë situatën.

Top Channel