Investimet e huaja, Bushati pret delegacionin kinez: Presim plane konkrete

14/03/2016 13:20

Ministri Ditmir Bushati ka pritur këtë të hënë në një takim një delegacion të Ministrisë së Jashtme kineze, të kryesuar nga një prej drejtuesve më të lartë të saj, Liu Haixing.

Gjatë takimit, bëhet e ditur në një njoftim për shtyp të MPJ, palët diskutuan për zhvillimet e fundit në rajonet respektive si dhe klimën “shumë të mirë” të bashkëpunimit dy palësh.

Në këtë aspekt, palët ranë dakord për intensifikimin e dialogut politik dhe të vizitave të nivelit të lartë, me qëllim rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve si në rang qeveritar, ashtu dhe në fusha të tjera si kultura, bota akademike, etj.

Duke e vënë theksin tek bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar në fusha si energjia, minierat dhe bujqësia, ministri Bushati kërkoi nga pala kineze mbështetje për projekte konkrete.

Në të njëjtat linja dy palët u shprehën edhe sa i takon investimeve kineze në infrastrukturën shqiptare dhe më gjerë, në atë rajonale.

Bushati rikonfirmoi gjithashtu vullnetin e Tiranës për thellimin e bashkëpunimit për zhvillimin e infrastrukturës rrugore, hekurudhore, detare e ajrore, në funksion te përfitimit të ndërsjellë.

Në takim u shpreh gatishmëria për të diskutuar në mënyrë aktive për ndërtimin e rrjeteve të transportit rajonal, duke eksploruar mundësitë e bashkëpunimit Shqipëri-Kinë-vendet e EQL në këtë fushë.

Bashkëbiseduesit ndanë pikëpamjen se bashkëpunimi mes Kinës dhe vendeve të EQL-së është komplementar dhe në funksion të aspiratave të Shqipërisë dhe rajonit për integrimin në Bashkimin Evropian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA