Atmosfera festive në qytetin e Elbasanit ka mbushur bulevardin kryesor që në orët e para të mëngjesit. Qindra vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe trojet shqipfolëse kanë zgjedhur të festojnë ardhjen e stinës së ngrohtë nga qyteti i luleve.

Bashkia e Elbasanit kishte përgatitur një sërë aktivitetesh të cilat mbajtën qytetarët në shesh deri në orët e  mesditës, kur të gjithë iu drejtuan më pas vatrave familjare për drekën tradicionale të Ditës së Verës.

Ballokumja është “mbretëresha” e festës dhe qindra tregtarë kanë mbushur plot dyqanet dhe rrugët me produktin tradicional të Ditës së Verës. Ndërkohë, panairi, ashtu si çdo vit, është vizituar nga politikanët, të cilët kanë ndarë mendime të ndryshme për ecurinë e ekonomisë vendase.

Ndërkohë, Nata e Vërës ka mbajtur në sheshin kryesor të Elbasanit deri në orët e para të mëngjesit mijëra qytetarë të cilët kanë ndjekur koncertin festiv të mundësuar nga Bashkia e Elbasanit. Kulmi është shënuar me hedhjen e fishekzjarreve që ndriçuan qytetin e Elbasanit në këtë ditë feste.Por skenës nuk i kanë munguar edhe aktorë të humorit, por edhe trupa e Cirkut të Tiranës, të cilët i kanë dhënë më shumë gjallëri festimeve.

Rrugët, por edhe baret dhe restorantet e qytetit kanë qenë të mbushura plot deri në orët e para të mëngjesit, pasi siç e do tradita, festa e verës pritet së bashku.

Në qytetin e Elbasanit festa e vërtetë e verës është në momentin e ndërrimit të stinëve, në mesnatën e datës 13 mars. Kjo festë me rrënjë të thella pagane është kthyer në një ditë të rëndësishme për këtë qytet që Ditën e Verës e shikon edhe si një mundësi të mirë për të rritur turizmin dhe të ardhurat.

Elbasani është vendi ku kjo festë është trashëguar me breza, por edhe qendra e festimeve nga ku më vonë u vendos që Dita e Verës të bëhej festë zyrtare.

Top Channel