Dita e Verës në Tiranë, qytetarët derdhen në bulevard; Veliaj tregon projektet e reja

14/03/2016 00:00

Qindra qytetarë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, por edhe nga Kosova e Maqedonia kanë pritur Ditën e Verës në Tiranë, duke u bërë pjesë e festimeve të shumta të kryeqytetit.

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, parku “Rinia”, zona e ish-bllokut, sheshi “Skëndërbej” dhe Kodrat e Liqenit ishin qendrat e festimeve të 14 marsit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u ka uruar qytetarëve Ditën e Verës, duke dekalruar se shumë shpejt Tirana do të kthehet në një kantier ndërtimi, për të ndryshuar tërësisht fytyrën e sheshit “Skëndërbej”.

“Fokusi janë fëmijët dhe shumica e aktiviteteve kanë në qëllim argëtimin e fëmijëve. Më vjen mirë që sot patëm hapësira mjaftueshëm si për shitësit ambulantë, edhe për fëmijët që të luajnë. Në qytet ka vend për të gjithë, mjafton që secili të respektojë hapësirat e tij. Ky do të jetë një vit fantastik për Tiranën, do të hapim disa kantiere. Do të nisim me sheshin Skëndërbej, që mund të bëhet më i bukuri në rajon”, ka deklaruar Veliaj.

Pjesë e festimeve në kryeqytet ishin edhe performancat nga vetë fëmijët, lojrat me biçikleta dhe kanoe, si edhe organizimi i konkursit “Dita e Balonës”, duke rikthyer traditën e vjetër të ndërtimit e vizatimit të balonave.

Ndërsa qytetarët kanë ndjekur nga afër edhe performancat me DJ, si edhe muzike live nga grupe të ndryshme këngëtarësh.

Top Channel