Shpifjet “online”, mbështetje dhe skepticizëm mes gazetarëve

13/03/2016 00:00

Për Skënder Minxhozin, i cili është vet drejtues i një portali online, shqetësimi më i madh është kur, pikërisht në emër të anonimatit, komentet online shkelin mbi dinjitetin, lirinë dhe të drejtat e dikujt tjetër.

“Ky shpërthim mediash online na gjen po aq të papërgatitur sa ç’kemi qenë 10 apo 20 vite më parë”, thotë Minxhozi.

Me të është dakord edhe Lutfi Dervishi.

“Nga njëra anë kanë garantuar lirinë e shprehjes për të gjithë qytetarët, por në anën tjetër janë bërë dhe platformë për gjuhën e urrejtjes, për fyerje, për shpifje…”, shprehet Dervishi.

Por administratori i një tjetër portali, i njohur si nismëtari i blogjeve shqiptare, por edhe i problematikës së tyre intimiduese dhe fyerjeve anonime, mendon ndryshe.

“Opinioni i lirë, mendimi i lirë nuk mund të cënohet ngaqë u prishet qejfi disave”, thotë Salaj.

Por për të tjerët, portalet tashmë janë kthyer në një rrezik, të ngjashëm me ato që rrezikojnë shëndetin publik. Ata mendojnë se, ndërhyrja ligjore ishte e domosdoshme.

“Në mënyrë që të mos jetë një pazar i gjësë së gjallë, ku gjërat shiten në trotuar, por mundësisht duhet të shiten nëpër stenda me një kontroll sanitar”, thotë më tej Minxhozi.

Media, “pazar” apo treg? Për Lutfi Dervishin, kjo është dilema e parë e kësaj nismeje ligjore.

“Duhet theksuar që ligji nuk është për median në vetvete, por për tregtinë elektronike. Si i tillë, duhet parë me kujdes në pjesën që ka shqetësime për ndërhyrje të lirisë së shprehjes”, thekson më tej Dervishi.

Blendi Salaj shkon më tej në shqetësimin e tij.

“Ajo që mua më tremb është fakti, që ka një prirje për ta ngushtuar mundësinë e njerëzve për të komentuar. Kjo nuk është në drejtimin e duhur, kjo është në drejtimin e gabuar”, thotë Salaj.

Por për Skënder Minxhozin, i cili me portalin e tij po përpiqet të ndërtojë një model serioz dhe profesional informimi online, qasja e Salajt është qasje e gabuar ndaj një vendimi të drejtë.

“Nismën e qeverisë unë e konceptoj si një nismë pozitive, që synon të disiplinojë ato fenomene negative, si dhe asaj që është nevoja për t’u identifikuar, i çdo aktori të ri në këtë treg”, përfundon Minxhozi.

Top Channel