Bashkia e Tiranës organizon aksionin “Të pastrojmë Tiranën”

13/03/2016 12:40

Qytetarët i janë përgjigjur sot thirrjes së Bashkisë së Tiranës duke u bërë pjesë e aksionit vullnetar “Të pastrojmë Tiranën”. Aksioni nisi në orët e para të mëngjesit dhe u përqendrua kryesisht në pikat më problematike të raportuara më parë nga administratorët e njësive administrative. Pjesë e këtij aksioni u bë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Më vjen mirë që traditën që nisëm vitin e kaluar, po e vazhdojmë edhe këtë vit. Nesër është një ditë feste, “Dita e Verës”, por si në çdo datë të shënuar, është e rëndësishme që ajo të na e gjejë shtëpinë pastër. Siç secili prej nesh pastron shtëpinë e vet, ashtu edhe Tirana e madhe duhet të funksionojë si një familje, që e pastron shtëpinë me themeli përpara se të hyjmë në një stinë të re”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai theksoi se, pavarësisht punës së përditshme të ndërmarrjeve të bashkisë, Tirana ka nevojë për ndihmën e çdo qytetari për të qenë e pastër, qoftë duke u bërë pjesë e aksioneve të tilla, qoftë duke u ndërgjegjësuar për ta mbajtur ambientin pastër.

“Ju e dini se gjatë shirave një pjesë e madhe e bllokimit të kanalizimeve vjen për shkak të ndotjes nga mbeturinat që hedhim në rrugë. Ndaj, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të na ndihmojnë duke mos ndotur. Ne e kemi zakon që t’ia hedhim fajin armikut, por këtë nuk na e bën armiku, këtu nuk ka armik imagjinar. Këtë ia bëjmë vetes tonë, ndaj ftoj të gjithë qytetarët që të jenë më të kujdesshëm me mënyrën se si i trajtojnë mbetjet e tyre”, u shpreh Veliaj.

 “Nëse e doni mjedisin, natyrën, pemët, pastërtinë, ejani në pastrim! Ta duash mjedisin vetëm me fjalë, me të bërtitura e protesta, nuk mjafton. Ai që e do, e do me fakte dhe punë. Faleminderit të gjithëve për punën dhe faktin që e doni me vepra konkrete”, u shpreh Veliaj. Aksioni për pastrimin e Tiranës synon ndërgjegjësimin e komunitetit për të patur një mjedis sa më të pastër e të shëndetshëm, si dhe pastrimin e atyre zonave problematike të cilat edhe pse nuk janë përcaktuar si vende të grumbullimit të mbeturinave janë kthyer në vendgrumbullime të mbetjeve.

FOTO GALERI
2/2

Top Channel