Tregu i ri i njësisë nr 3, me Veliajn edhe e moshuara që u gjobit një ditë më parë

12/03/2016 16:20

Banorët e njësisë bashkiake numër 3 në Tiranë do të kenë sot e në vijim një treg të ri me kushte më të mira ku do të blejnë produktet e tyre.

Gjatë inaugurimit të kësaj hapësire, kreu i bashkisë Erjon Veliaj tha se, çdo produkt që do të konsumohet në vazhdim nga banorët do të ketë një siguri më të lartë.

“Këtu në porcelan kishim një treg në kushte mesjetare, ku shitej në rrugë dhe zihej gjithë hapësira publike. Sot hapësira publike u është kthyer qytetarëve. Jam i vendosur që Tirana të mos jetë më mesjetë. Pazari mesjetar ku bllokohet çdo rrugë nuk funksionon”, u shpreh Veliaj.

Një ditë më parë në rrjetet sociale hapi debat një foto ku tregohej gjobitja e një të moshuareje që shiste produkte ushqimore në trotuar.

Ajo ishte e pranishme në inaugurimin e tregut të ri në njësinë 3, ndërsa kreu i bashkisë tha se qytetarët mund të luajnë rolin e rregullatorit në situata të tilla, duke iu drejtuar tregjeve të bashkisë për të blerë ushqime e jo trotuareve.

“Kemi bërë tregje të bukura dhe kjo është më mirë sesa të shesësh në trotuar”, tha Veliaj gjatë bashkëbisedimit me të moshuarën.

Krahas inaugurimit të tregut ushqimor në njësinë 3, bashkia përmbylli një tjetër projekt. Në rrugën e Kavajës u mbollën 50 pemë qershie, si pjesë e projektit që synon t’i shtojë kryeqytetit 7 mijë pemë të reja.

Top Channel