Grabitjet në Tiranë, shtohet numri; të rinjtë vijnë edhe nga rrethet

11/03/2016 19:50

Grabtija më e fundit e dhunshme në Tiranë ishte ajo ku një i ri, nën kërcënimin e thikës, mori 150.000 lekë në një kazino.

Fenomeni është përhapur shumë së fundmi dhe autorët e grabitjeve janë të rinj dhe adoleshentë, që vijnë edhe nga qytete të tjera posaçërisht për të grabitur.

“Atje ku kemi patur kamera me imazhe të pastra e kemi patur më të thjeshtë punën për zbulimin e autorit. Ka patur raste që personat kanë qenë të skeduar, ka pasur edhe të ardhur nga rrethet, që vijnë sot, vjedhin dhe ikin. Kjo është një vështirësi për policinë, për të zbuluar dhe dokumentuar ngjarjen. Ndërsa nga një kapje flagrante para 3 javësh në Kamëz kemi evidentuar edhe 3 rste të tjera”, deklaron Dimitraq Ziu, nëndrejtor i Policisë së Tiranës.

Mes të arrestuarve për grabitje është edhe një grua, të cilën policisë iu desh kohë ta ndiqte.

“Para dy javësh kemi patur një vjedhje supermarketi, nga një femër që kishim muaj që e kërkonim. Ajo rrinte jashtë shtetit, vinte, vidhte dhe largohej prapë. Vidhte kryesisht çantat, portofolët në lokale e supermarkete, xhiron ditore të një lokali duke joshur banakierin, ose sportelistin dhe ikte. Kemi zbuluar 7 vjedhje nga kjo femër, nga Fieri por që jetonte jashtë, e cila kishte dhe dy bashkëpunëtorë meshkuj”, thotë më tej nëndrejtori Ziu.

Sipas policisë, shumë prej grabvitësve janë persona që sapo kanë dalë nga burgu, ku kanë qenë të dënuar për të njëjtën vepër.

Top Channel