Alarmi për refugjatët, ushtaraku italian: Shqipëria, jo portë hyrëse në BE

11/03/2016 00:00

“Shqipëria nuk do të kthehet në portë hyrëse në Bashkimin Europian”, tha admirali italian, Luigi Binelli Mantelli, për “EU Observer”.

Mantelli, ish-shef Mbrojtjeje në vitet 2013-2015, e argumenton bindjen e tij me faktin se Shqipëria, – siç thekson në intervistë, – ka një kontroll mjaft të kujdesshëm të kufijve dhe nuk vuan nga emigracioni i paligjshëm.

Faktor të rëndësishëm në këtë drejtim, Mantelli konsideron edhe vullnetin e fortë të vendit për të bashkëpunuar me BE-në, ku shpreson të anëtarësohet një ditë, apo dhe faktin që është anëtar me të drejta të plota i NATO-s.

Si një njeri që ka marrë pjesë në operacionet e krizës së emigrantëve në Itali në fillimin e viteve ’90, admirali italian i ka përjetuar nga afër situata të tilla. “Kriza e ’90-s tregoi se, flotat detare nuk i ndalojnë dot anijet e emigrantëve”, thotë Mantelli. Ai kujtoi incidentin e “Vlorës” në 1991-shin, kur mijëra emigrantë shqiptarë e detyruan anijen e mallrave të hynte në portin e Barit.

“Ne u përpoqëm ta ndalonim me mjetet tona lundruese, por ishte e pamundur, sepse ishte shumë e rrezikshme për njerëzit në bord. Ndaj dhe në fund, ata hynë në port. Kur je në det, çdo operacion kthehet shpejt në operacion shpëtimi. Ndryshon shumë nga situata në tokë”, tha Luigi Binelli Mantelli.

Italia, – vazhdon ai, – e stabilizoi krizën e atyre viteve duke punuar me Tiranën zyrtare për t’u ndaluar anijeve me emigrantë nisjen nga brigjet e Shqipërisë. Ndaj dhe zgjidhja më e mirë, sipas Mantellit, do të ishte një marrëveshje me Moskën mbi Sirinë, me qëllim rikthimin e stabilitetit.

Top Channel