Nisin përmbytjet në Shkodër. KESH: Shkarkimet janë nën kontroll

10/03/2016 12:05

Zona e Nënshkodrës dhe Ana e Malit kanë nisur të përmbyten nga dalja e lumit Buna nga shtrati. Vërshimi i ujërave është në nivele të ulëta, por sërish nëpër rrugë dhe shumë toka bujqësore është shfaqur uji.

E tillë është edhe rruga e Obotit, fshatit emblemë të përmbytjeve të vitit 2010. Rruga është nën ujë, por banorët janë të shqetësuar më shumë për të mbjellat, për serat, si dhe për shtëpitë e tyre.

Sipërfaqja e prekur nga ujërat është rreth 700 hektarë, kryesisht vetëm tokat, ndërsa në banesa nuk ka probleme.

Banorët thonë se vërshimi i ujërave ka ndodhur për shkak të hapjes së portave të liqenit të Vaut të Dejës. Por kjo është mohuar nga drejtori i Vaut të Dejës, që shkoi vet në zonën e prekur nga ujërat.

“Shkarkime nga hidrocentrali nuk ka pasur. Thjesht është bërë dhe vazhdon të bëhet menaxhimi i mirë. Duke pasur parasysh edhe prurjet e kaskadës, që fillojnë nga Fierza, Komani dhe deri në Vaun e Dejës, bazë për të tre këto kaskada është prodhimi”, tha Kujtim Prroni, drejtor i HEC-it të Vaut të Dejës.

Ndërkohë, vet KESH njofton se ka një rritje të prurjeve në liqene, por situata është nën kontroll. Ndërsa në hidrocentralin e Vaut të Dejës, nga turbinat dhe portat e shkarkimit dalin 870 metër kub ujë në sekondë.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel