Mbërrijnë “pepinot”, Avramopulos: Jemi në dijeni të bisedimeve për refugjatët

10/03/2016 00:00

Policia shqiptare po rrit ndjeshëm nga ora në orë masat në kufi për të ndalur ndonjë trafik ilegal të mundshëm të refugjatëve sirianë.

Në Kapshticë, policia kontrollon imtësisht çdo mjet udhëtarësh që vjen nga Greqia. Policia kufitare vrojton të gjitha rrugët e përdorura më parë nga shqiptarët për të emigruar drejt Greqisë.

Burime të policisë lokale i thanë Top Channel se kufiri pothuajse është i blinduar edhe nga forcat speciale të ardhura për përforcim në ditët e fundit.

Fshatrat kufitare janë duke u monitoruar imtësisht. Të mërkurën në Tiranë mbërriti delegacioni i Guardia di Finanza-s, i drejtuar nga gjeneral brigade, Stefano Skrepanti.

Ai diskutoi me kreun e policisë shqiptare, Haki Çako, për planin e përbashkët të masave që do të ndërmarrin në ditët në vazhdim në bazë të marrëveshjes për të kryer patrullime të përbashkëta në kufirin e gjelbër të Shqipërisë me Greqinë, në pikat e kalimit kufitar si dhe patrullimet në det.

Në Bruksel, komisioneri Avramopoulos, i pyetur nga Top Channel, pranoi se është në dijeni të bisedimeve bilaterale të zhvilluara mes Bullgarisë, Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë.

“Ne i mirëpresim këto bisedime. Kemi një dialog të hapur me të gjitha palët e përfshira të rajonit si vendet e përmendura nga ju, por edhe matanë rajonit. Për momentin, problemi në të ashtuquajturin korridori ballkanik, po edhe te fqinjët e me gjerë është vetëm me fjalë dhe besoj ju jeni në dijeni të samitit të fundit në Bruksel. Kështu që ne presim një rezultat nga samiti europian i cili mbahet pas një jave. Po mbajmë nën monitorim situatën në këtë zonë. Ekziston gjithë mundësia që kjo rrugë të devijojë përmes drejtimeve të tjera nëse mbyllet korridori ballkanik. Nuk ka ende ndonjë shenjë për devijim të rrugës së refugjatëve nga Shqipëria apo ndonjë vend tjetër”, u shpreh Dimitri Avramopoulos.

Top Channel