Protestë për më shumë gra deputete

08/03/2016 00:00

Nëpër rrugë nuk kanë vërshuar gratë dhe vajzat që tradicionalisht, të stolisura e me lule në duar, rendin drejt restoranteve ku i pret një drekë e rëndë.

Ashtu si në mbarë botën kjo e sotmja duhej të ishte një ditë proteste, por gratë shqiptare nuk dalin për ndërgjegjësim për të kërkuar më shumë të drejta, barazi e respek, më shumë punësim e me pak diskriminim, dhunë fizike e verbale ndaj tyre.

Në këtë ditë reflektimi për rolin e gruas në shoqëri protestuesit e vetëm në bulevard, pranë Kryesisë së Kuvendit janë veç një grup të rinjsh.

Por edhe ata, nën ombrellën e një shoqate e më pankarta në duar, kërkojnë vetëm kuotën rozë për përfaqësimin politik në një kohë kur 22 përqind e Parlamentit përfaqësohet nga gratë.

“Synojnë që në kuadër të 8 marsit të ngremë zërin për përfaqësim të barabartë të grave dhe vajzave në Parlament. Synojmë që Shqipëria t’i bashkohet nismës për një prani të barabartë 50 përqind me 50 përqind të burrave dhe grave në Parlament”, thotë Linda Pino nga Shtëpia e të Drejtave të Njeriut.

Ndërkohë, edhe ky 8 mars i gjen femrat shqiptare në vështirësi. Të dhënat e fundit të INSTAT-it flasin për rritje të papunësisë te femrat, mbi 40 përqind e tyre kryejnë punë të papaguara ose të paguara më pak se burrat.

Dhe këto nuk janë vetëm shifra, por gjendja reale e  grave, atyre që sot kanë më shumë arsye për të protestuar se për të festuar.

Top Channel