“Dekriminalizimi” bllokon Kuvendin; palët vijojnë bisedimet

03/03/2016 18:15

Parlamenti nuk ka diskutuar rendin e ditës paraditen e së enjtes, duke ja lënë vendin negociatave mes Qeverisë dhe opozitës për arritjen e një marrëveshjeje rreth akteve nënligjore që vënë në zbatim ligjin e dekriminalizimit.

Përpara se të niste negociatat larg vëmendjes mediatike dhe jashtë Parlamentit, Oerd Bylykbashi ishte mosbesues.

“Ajo që po ndodh janë përpjekje të maxhorancës që konsensusi i 17 dhjetorit të prishet”, deklaroi ai.

Në ato minuta që u zhvillua seanca plenare, drejtuesit kryesorë të mazhorances u shprehen optimistë dhe të gatshëm për arritjen e konsensusit.

Ilir Meta: Duke shprehur besimin dhe vullnetin e të gjithëve që kjo çështje do të arrihet me patjetër, por edhe nëse nuk do të zgjidhet sot, do të zgjidhet nesër apo pasnesër sepse është një detyrim i Kuvendit.

Gramoz Ruçi: Kanë ngelur 3-4 gjëra dhe ne jemi të gatshëm me pikësynimin që të arrihet qysh sot dhe nëse nuk arrihet sot, të vazhdohet edhe nesër. Nuk kemi asnjë synim që të bëhemi pengesë në këtë çështje.

Top Channel ka mësuar se pas orësh të tëra bisedimesh me ndërprerje të herëpashershme, nuk është arritur ndonjë marrëveshje përfundimtare, përveç disa detajeve teknike në formular dhe mbetet për t’u zgjidhur roli i Prokurorisë dhe insitucioneve të tjera në kontrollin e verifikimit të të dhënave.

Por edhe sikur palët të merren vesh për të gjitha aktet nënligjore, Partia Demokratike ka edhe tri kërkesa të tjera nga të cilat thotë se nuk heq dorë; pezullimin me ligj të Armando Prengës, ndryshimin e ligjit për komisionet hetimore dhe dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mandateve të 3 deputetëve socialistë, që sipas opozitës kanë përfituar fonde publike.

Sali Berisha e pagëzoi këtë proces me një emër të ri. 

“Ju dëshmoni se dekusarizimi i Parlamentit është po kaq jetik dhe mos edhe më jetik sesa dekriminalizimi. Është koha që të reflektoni para se Parlamenti të shkojë drejt dezintegrimit të plotë”, deklaroi Berisha.

Ndërkohë, në orët e pasdites mësohet se njëra nga çështjet ku kanë ngecur palët ishte ai i publikimit të emrave. Partia Demokratike ka këmbëngulur në publikimin e emrave që zyrtarët mund të kenë ndryshuar, ndërsa PS e kundërshton këtë.

Top Channel