Ndryshime në qeveri, 4 zv.ministra të rinj; asnjë nga aleatët

02/03/2016 11:50

Katër emra të rinj në nivel zëvëndës ministrash janë zyrtarizuar në mbledhjen më të fundit të qeverisë. Idlir Peçi, i cili deri tani ka mbajtur postin e zv.ministrit të Drejtësisë është emëruar në të njëjtin pozicion por në Ministrinë e Mbrojtjes.

Në vend të tij, pasues do të jetë Eridian Salianji, i bërë më së shumti i njohur gjatë garës së gjatë të zgjedhjeve të vitit 2011, si pjesëtar i grupit të juristëve të Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Eralda Methasani, që ka mbajtur postin e këshilltares për të drejtën publike të kryeministrit Rama, do të jetë numri dy i Ministrisë së Integrimit Europian.

Vendin e lënë bosh tek Arsimi nga Arbër Mazniku, pas largimit të tij për në Bashkinë e Tiranës, do ta mbajë Redi Shtino. Ndërsa emrimi i fundit i përket Kledi Xhaxhiut, që emërohet zv.ministër i Mjedisit.

Përtej emrave, ajo që bie më shumë në sy është se, përveç Redi Shtinos, i zgjedhur kreu i G99 të krijuar nga Erjon Veliaj, të tjerët nuk janë pjesë e partive aleate. Edhe pse mendohej se këto emërime do të shërbenin për të plotësuar kërkesat e aleatëve si PDIU, PDS, etj, kështu nuk ndodhi.

Këto emërime të reja ndodhin në më pak se tre javë nga ndryshimet e kryera të disa zëvëndës ministrave në ministritë e Zhvillimit Ekonomik, Bujqësisë dhe Transporteve, miratuar në mbledhjen e qeverisë më 10 shkurt, të tre emra të propozuar nga LSI.

Top Channel