Depozitat bankare, “të mëdhenjtë” prej 4% zotërojnë 4.1 miliardë USD

02/03/2016 00:00

Një raport i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave tregon se, 4 për qind e individëve depozitues në Shqipëri zotërojnë plot 4.1 miliardë dollarë depozita në banka.

Raporti, i cili është dorëzuar për shqyrtim në Parlament, nxjerr në pah se, pjesa dërrmuese e kursimeve në sistemin bankar janë të përqëndruara në pak duar. Këta janë depozituesit e mëdhenj, të cilët zotërojnë dhe pjesën e “luanit” në kursimet kombëtare.

Sipas ASD-së, vitin e kaluar, mbi 58 për qind e totalit të depozitave në sistemin bankar zotëroheshin nga vetëm 4 për qind e individëve. Kjo do të thotë se, pjesa tjetër, pra 96 për qind e individëve ndajnë mes tyre 42 për qind të totalit të kursimeve.

E shprehur në vlerë rezulton se, për individët që bëjnë pjesë në 4 përqindëshin e kursimtarëve të mëdhenj, sasia mesatare e depozitës është 48 mijë dollarë. Ndërsa 96 përqindëshi tjetër i individëve ka një kursim mesatar prej vetëm 1.400 dollarësh për person, ose 34 herë më pak.

Të dhënat e detajuara të ASD-së tregojnë se, në fund të vitit të kaluar, individët zotëronin në total rreth 890 miliardë lekë depozita në banka. Sipas monedhave, 51 për qind e tyre janë në Lek, ndërsa pjesa tjetër janë kursime në valutë.

Legjislacioni shqiptar në fuqi detyron që agjencia e depozitave të sigurojë plotësisht çdo depozitë bankare deri në 2.5 milionë lekë dhe të dhënat zyrtare tregojnë se, 96 për qind e individëve janë plotësisht të siguruar, pasi bien nën këtë nivel.

Top Channel