Dekriminalizimi drejt kolapsit? Kuvendi: Aktet nënligjore, antikushtetuese

02/03/2016 00:00

Sipas afatit që ka përcaktuar vetë në ligj, Parlamenti duhet të nxjerrë brenda datës 6 mars aktet nënligjore që mundësojnë zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.

Por kushtetutshmëria e akteve është vënë në pikëpyetje nga vetë Kuvendi. Top Channel ka siguruar dokumentin e zyrës juridike të Parlamentit, që paralajmëron Këshillin e Rregullores se, projektvendimi që do të marrë në shqyrtim këtë mbrëmje është antikushtetues në formë dhe në përmbajtje.

Sipas zyrës juridike, duke qenë se projektvendimi ka karakteristikat e një akti normativ me fuqi në të gjithë vendin, ai del jashtë kompetencave të Kuvendit. Zyra juridike bën të ditur se, funksionin e vet kushtetues legjislativ, Kuvendi nuk mund ta ushtrojë përmes projektvendimeve, por nëpërmjet ligjeve.

Përsa i përket përmbajtjes, zyra juridike vëren si shkelje kushtetuese faktin se, ky projektvendim, që votohet me shumicë të thjeshtë, i ngarkon Prokurorisë detyra, që sipas Kushtetutës ajo mund t’i kryejë vetëm me ligj.

Opinioni i zyrës juridike për Këshillin e Mandateve vjen në një kohë, kur Partia Demokratike dhe Partia Socialiste janë duke kryer negociata ende të pasuksesshme, për të dalë me një variant konsensual të formularit të vetëdeklarimit, që është edhe akti kryesor nënligjor, i cili propozohet për t’u miratuar me projektvendim.

Veç zyrës juridike të Kuvendit thuhet se, një opinion negativ për kushtetutshmërinë e këtyre akteve ka dhënë edhe Ministria e Drejtësisë. Por, kreu i opozitës, Lulzim Basha e lidhi dokumentin e zyrës juridike të Kuvendit me strategjinë e Edi Ramës për të mos zbatuar ligjin e dekriminalizmit.

“Pyetja shtrohet, pse ky provokim?! Dhe pse tani kur Komisioni i Venecias ka sjellë opinionin e dytë për reformën në drejtësi? Kjo është një lojë perfide e Edi Ramës me anë të së cilës ai kërkon t’i shpëtojë një reforme në drejtësi. Edhe një herë zgjedhja është e Edi Ramës, por me aktet e sotme ai duket se e ka bërë zgjedhjen. Ai kërkon që të ndalojë dekriminalizimin, në mënyrë që kriminelët me të cilët ka ardhur në pushtet dhe po qeveris, t’i ketë në krah”, deklaroi Basha këtë të mërkurë.

Top Channel