“Venecia”, Halimi: Shqetësim për kapjen politike të sistemit të drejtësisë

29/02/2016 13:40

Drafti i Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi shpreh shqetësimin për kapjen politike të sistemit të drejtësisë. Kështu është shprehur deputeti demokrat Eduard Halimi për mediat.

“Jemi të inkurajuar nga pranimi që Komisioni i Venecias i bën shqetësimeve që ka ngritur opozita në fillim për kapjen politike të sistemit të drejtësisë, shqetësime që adresohen gjerësisht në të gjitha paragrafet e draft opinonit të Komisionit të Venecias. Gjen shqetësimet e opozitës lidhur me kapjen”, tha Halimi.

Ashtu si homologu i tij socialist, Fatmir Xhafa, edhe Halimi tha se ai që lexon ndryshe Venecian është kundër reformës. Drafti vijoi ai flet qartë për nevojën e domosdoshme për dialog politik.

“Flet qartë për nevojën e domosdoshme të një dialogu politik në çështjet e miratimit të ndryshimeve të paketës kushtetuese. Sot del qartë se kush ishte ai që ishte kundër një dialogu politik. Maxhoranca të krijojë kushtet për dialog politik sepse është e vetmja mënyrë për të hartuar dhe miratuar ndryshimet kushtetuese siç thotë e zeza mbi të bardhë Komisioni i Venecias. Kush e lexon ndryshe bën gabim dhe është kundër reformës”, tha Halimi.

Lidhur me Byronë e Hetimit, Halimi tha se flitet qartë se ky organ nuk mund të jetë kurrë nën qeverinë.

Top Channel