Koalicioni opozitar me partitë brenda dhe jashtë Parlamentit ka unifikuar qëndrimin për të patur një axhendë të përbashkët politike përsa i përket rëndësisë së prioriteteve të opozitës.
Ato janë bashkuar rreth qëndrimit të Partisë Demokratike, e cila akuzon kryeministrin për bashkëqeverisje me krimin.
“Koalicioni opozitar ka marrë përsipër një detyrë shumë të vështirë në një ‘97 pa plumba, në një Shqipëri të zotëruar nga krimi jashtë dhe brenda Parlamentit. Aleanca e krimit ka sot përballë një aleancë opozitare që vjen duke u zgjeruar dhe që e ka theksuar dhe e thekson dekriminalizimin si prioritetin numër një, prioritetin absolut të Shqipërisë dhe shqiptarëve sot. Prioritetin e gjithë prioriteteve. Të ndjekur nga prioriteti tjetër, ai i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, deklaroi Lulzim Basha.
Aleati kryesor i demokratëve, republikani Fatmir Mediu, megjithëse nuk është konsultuar më parë për marrëdhënien e kushtëzuar me Parlamentin, e përkrah qëndrimin e aleatit më të madh me një gjuhë të mdoeruar.
“Mendoj që pjesëmarrja e opozitës në Parlament është e domosdoshme, por dhe qëndrimet janë pjesë e aksionit opozitar”, tha Mediu.
Paralelisht me këtë tryezë, Partia Demokratike po bën përpjekje për ta zgjeruar koalicionin. Përveç PBDNJ-së, nënkryetari i të cilës, Ligoraq Karamelo, nuk arriti dot në kohë të marrë pjesë, demokratët nuk përjashtojnë edhe çdo forcë tjetër politike kundërshtare me qeverinë.
Top Channel